Vetëm 8 vjeçe, Kiara Beqiri nga Gjilani shpallet tri herë kampione e Kosovës në karate

Karateistja e re e klubit KK AS nga Gjilani, Kiara Beqiri, po vazhdon të shkëlqejë në arenën vendore të karatesë, duke u shpallur tri herë kampione e Kosovës, pavarësisht moshës shumë të re.

Kiara, e cila është vetëm 8 vjeçe, ka filluar të merret me sportin e karatesë që në moshën 3-vjeçare. Dy vite më vonë, në moshën 5-vjeçare, ajo mori pjesë për herë të parë në gara, duke u paraqitur në kategorinë 7 vjeç, pasi garat zyrtare fillojnë nga kjo grupmoshë.

Që nga paraqitja e saj e parë në tatami, Kiara ka arritur rezultate të shkëlqyera, duke fituar vazhdimisht vende të para, të dyta dhe të treta.

Suksesi i saj i parë i madh erdhi në vitin 2024, kur në moshën 6-vjeçare u shpall kampione e Kosovës në kategorinë 7 vjeç – KATA.

Një vit më vonë, në 2025, ajo përsëriti suksesin duke u shpallur sërish kampione e Kosovës, këtë herë në grupmoshën 8 vjeç.

Ndërkohë, në kampionatin e fundit të Kosovës në vitin 2026, Kiara edhe pse vetëm 8 vjeçe, garoi në një kategori më të madhe, atë të 9-vjeçarëve, ku arriti një tjetër sukses të jashtëzakonshëm.

Ajo u shpall kampione në dy disiplina: KATA dhe KUMITE (luftëra) në kategorinë +34 kg. Në disiplinën KATA, Kiara dominoi bindshëm të gjitha duelet duke fituar me rezultat 3:0, ndërsa në KUMITE triumfoi në të gjitha përballjet me rezultate të thella, madje duke mbyllur disa luftëra me rezultat 8:0.

Ky sukses i radhës konfirmon talentin dhe përkushtimin e madh të karateistes së re nga Gjilani, e cila po shihet si një premtim i madh për të ardhmen e karatesë kosovare.

Shpërndaj me të tjerët