Sot, në kuadër të javës së 26-të të Superliga e Kosovës, në stadiumin me bari artificial në Gjilan, nga ora 13:00 përballen dy rivalët lokalë, SC Gjilani dhe FC Drita.
Bëhet fjalë për një derbi që vitet e fundit ka humbur disi shkëlqimin, si në tribuna ashtu edhe në fushë, sipas njohësve të futbollit dhe protagonistëve që e kanë përjetuar këtë përballje.
Megjithatë, sfida e sotme ka një rëndësi të veçantë për të dyja skuadrat, duke qenë se janë në garë për kreun e tabelës.
Aktualisht, Gjilani renditet në pozitën e katërt me 39 pikë, gjashtë më pak se Drita, e cila bashkë me FC Ballkani ndajnë vendin e parë me nga 45 pikë.
Në rast të fitores së Gjilanit, diferenca do të ngushtohej në tri pikë dhe “kuqebardhët” do të ngjiteshin në pozitën e tretë, duke e bërë garën për titull shumë më interesante dhe të hapur.
Në anën tjetër, nëse fiton Drita, kampioni aktual do të shkëputej në nëntë pikë nga Gjilani dhe tri nga Ballkani, duke krijuar një avantazh të rëndësishëm në vazhdim të kampionatit.
Ndërsa një barazim do ta mbante Dritën në krye me një pikë më shumë se Ballkani, ndërsa Gjilani do të mbetej në vendin e katërt, me gjashtë pikë më pak se rivali lokal dhe një më pak se FC Prishtina në pozitën e tretë.
Të dy trajnerët, një ditë para ndeshjes, janë shprehur të matur në konferencë për media, duke e vlerësuar derbin si një përballje të vështirë dhe të paparashikueshme, por duke shprehur njëkohësisht besimin se skuadrat e tyre mund të dalin me fitore.
Mbetet të shihet zhvillimi i këtij dueli, ku pritet një përballje e fortë, me përkushtim dhe angazhim maksimal nga të dyja palët, të cilat vijnë në këtë ndeshje pas fitoreve në mesjavë.
