VOLEJBOLLl/ Djelmoshat  Dritës e “harrojnë” Kupën,  sigurojnë biletën për gjysmëfinale

Volejbollistët e KV Dritës kanë treguar forcë karakteri duke lënë pas krahëve disfatën e hidhur në finalen e Kupës.

Në një përballje vendimtare të luajtur sot në Suharekë, gjilanasit kanë mposhtur ekipin e Golden Eagle Theranda me rezultat 3-1 në sete, duke siguruar kështu biletën për në fazën gjysmëfinale të Play-offit.

Djelmoshat e Dritës dominuan takimin përmes një loje të organizuar dhe një shpirti të lartë gare, duke mos i dhënë asnjë hapësirë kundërshtarit për befasi.

Sipas drejtuesve të klubit, kjo fitore në çerekfinalen e dytë është dëshmi e punës intensive dhe përkushtimit të treguar gjatë gjithë sezonit.

“Me një paraqitje të jashtëzakonshme arritëm këtë fitore dhe siguruam kualifikimin në gjysmëfinalen e madhe. Tani fokusi ynë është maksimal për sfidën e radhës,” kanë deklaruar nga tabori i KV Dritës.

Rruga drejt titullit tani bëhet edhe më sfiduese. Në gjysmëfinale, Drita do të përballet me ekipin e Ferizajt, që aktualisht mban pozitën e dytë në tabelë.

Ky takim pritet të jetë tejet i fortë dhe interesant, duke vënë përballë dy rivalë të vjetër që synojnë finalen e madhe të kampionatit.

 

Shpërndaj me të tjerët