Trajneri i KF Drita, Zekirija Ramadani, ka folur para përballjes me KF Drenica, duke theksuar se skuadra e tij është e fokusuar te angazhimi maksimal dhe rezultati.
Ramadani u shpreh se nuk pret spektakël në këtë ndeshje, por një përballje të fortë sportive, ku vendimtare do të jenë detajet dhe përvoja.
“Nuk kërkojmë spektakël, por kërkojmë luftë sportive dhe rivalitet të denjë. Në këto ndeshje, detajet dhe përvoja bëjnë dallimin. Ne kemi objektivin tonë dhe nuk kërkojmë arsyetime, as për fushën, as për referimin. Shikojmë vetëm veten dhe punën tonë”, ka deklaruar Ramadani.
Ai shtoi se skuadra duhet të japë maksimumin, sidomos duke marrë parasysh se në përballjet e mëhershme ndaj Drenicës nuk kanë pasur rezultat të mira.
“Duhet të jemi maksimalisht të përkushtuar, sepse nuk kemi pasur ndeshje të mira më herët kundër tyre. Edhe kësaj radhe hyjmë me disa mungesa, rreth 10 lojtarë, por kjo nuk na ndryshon qasjen , kushdo që është në fushë duhet të japë më të mirën”, ka përfunduar ai.
