Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit ka bërë një hap të rëndësishëm drejt shtrirjes rajonale, duke përuruar degën e saj më të re në Kamenicë.
Në mbledhjen inauguruese të mbajtur sot, u hodhën themelet e bashkëpunimit profesional për këtë komunë, me qëllim avancimin e shkencës së matematikës.
Mbledhja u udhëhoq nga Kryetari i Shoqatës, z. Bregan Isufi, ku pas procesit të rregullt të votimit, u zgjodhën edhe drejtuesit e kësaj dege: Agon Mahmuti, koordinator i Degës në Kamenicë dhe Agim Maliqi, përfaqësues i Degës në Kryesinë e Shoqatës
Ky konsolidim i ri synon të nxisë aktivitetet profesionale, të mbështesë talentet e reja dhe të krijojë një rrjet më të fortë bashkëpunimi mes mësimdhënësve dhe profesionistëve të fushës në gjithë rajonin e Anamoravës.
Me krijimin e kësaj dege, Shoqata e Matematikanëve të Gjilanit konfirmon përkushtimin e saj për të qenë një organizatë aktive që kontribuon drejtpërdrejt në promovimin e shkencave ekzakte dhe rritjen e cilësisë në arsim.

