ARSIM/Java e Fizikës në Velekincë, nxënësit prezantojnë mbi 40 eksperimente

Mbi 40 eksperimente, në ShFMU “Mulla Idriz Gjilani” u mbajt Java e Fizikës

Në ShFMU “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë është organizuar me sukses Java e Fizikës, aktivitet i udhëhequr nga mësimdhënësja e fizikës, Trëndelina A. Koleci.

Gjatë kësaj jave, nxënësit prezantuan mbi 40 eksperimente dhe punime praktike, duke dëshmuar njohuritë dhe kreativitetin e tyre në fushën e fizikës.

Aktiviteti kishte për qëllim që përmes eksperimenteve dhe demonstrimeve të afrojë shkencën me nxënësit dhe ta bëjë mësimin më praktik e më interesant.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, i cili vlerësoi angazhimin e shkollës, mësimdhënëses dhe nxënësve në promovimin e shkencave natyrore dhe zhvillimin e mendimit kritik.

Drejtori i shkollës, Zaim Zymeri, falënderoi DKA-në për mbështetjen, ndërsa përgëzoi nxënësit dhe mësimdhënësen për organizimin e suksesshëm të aktivitetit, duke theksuar përkushtimin e shkollës për edukim cilësor dhe promovim të dijes.

 

 

Shpërndaj me të tjerët