ARSIM/Franca mbështet ndërkombëtarizimin e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ) ka qenë nikoqir i një vizite të rëndësishme diplomatike dhe akademike.

Ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka qëndruar në ambientet e këtij universiteti, ku është pritur nga drejtuesit, stafi akademik dhe qindra studentë.

Vizita u organizua nën patronatin e Fakultetit të Shkencave Sociale, në kuadër të strategjisë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar akademik e kulturor, si dhe me qëllim të zgjerimit të mundësive për mobilitet studentor, shkëmbime dhe projekte të përbashkëta shkencore me shtetin francez.

Në emër të Rektorit të UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, të pranishmit i përshëndeti Prorektorja për Mësimdhënie, Hulumtime dhe Çështje të Studentëve, Prof. Ass. Dr. Lindita Loku Nikçi.

Ajo potencoi se partneritetet me universitetet franceze janë një dritare e shkëlqyer për ngritjen akademike të studentëve dhe stafit.

Në të njëjtën linjë, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, vlerësoi se kontaktet e tilla ndërkombëtare ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit dhe hapjen e perspektivave të reja për të rinjtë e Anamoravës.

Gjatë këtij aktiviteti, ambasadori francez Olivier Guérot zhvilloi një ligjëratë dhe diskutim të hapur me temën: “Ndikimi i Francës në zhvillimin dhe konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”.

Ambasadori foli për rolin diplomatik të Parisit zyrtar në proceset shtetndërtuese të Kosovës, por u ndal gjatë te sektori i arsimit.

“Franca mbetet e përkushtuar në mbështetjen e të rinjve kosovarë përmes programeve të ndryshme studimore, bursave dhe mundësive të shumta në universitetet franceze”, ka thënë ambasadori Guérot, duke i inkurajuar studentët gjilanas që të shfrytëzojnë këto programe për të marrë përvojë evropiane.

Gjatë takimit u prezantuan në mënyrë të detajuar programet akademike, platformat e mobilitetit dhe hapat që duhet të ndjekin studentët për të përfituar bursa studimi në Francë.

Gjithçka u përmbyll me një bashkëbisedim interaktiv, ku studentët shfaqën interesim të madh rreth procesit të aplikimit dhe jetës akademike në institucionet franceze.

 

 

Shpërndaj me të tjerët