Dr. Qëndrim Hajdari rikthehet nga Zagrebi me njohuri të reja për ortopedinë moderne
Specialisti gjilanas i ortopedisë, Dr. Qëndrim Hajdari, trajnim në një nga qendrat më të avancuara në Zagreb
Specialisti gjilanas i ortopedisë, Dr. Qëndrim Hajdari, ka qëndruar për një javë në një nga qendrat më të avancuara ortopedike në rajon, në Spitalin “Akromion” në Zagreb të Kroacisë, ku ka marrë pjesë në trajnim profesional me vetëfinancim.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Dr. Hajdari përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë përvojën e tij në këtë institucion të njohur.
“Është kënaqësi të ndaj përvojën profesionale në fushën e mjekësisë sportive dhe vendosjes së protezave në një nga qendrat më të avancuara ortopedike në rajon – Spitalin ‘Akromion’ në Zagreb.
Kjo eksperiencë përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin tim profesional dhe në përvetësimin e praktikave bashkëkohore në ortopedi”, ka shkruar ai.
Dr. Hajdari ka theksuar se gjatë këtij angazhimi ka pasur mundësi të njihet nga afër me teknika të avancuara që ende nuk aplikohen gjerësisht në Kosovë, si ndërhyrjet në nyjen radiokarpale, përfshirë artroskopinë e kësaj nyjeje, riparimet dhe rekonstruksionet e ligamenteve, si dhe vendosjen e protezës së bërrylit.
Ai aktualisht punon në Spitalin “Royal Medical” në Prishtinë, ndërsa në Gjilan ofron shërbime në ordinancë private “Dora”, një herë në javë.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në mjekësinë sportive në Kosovë kanë bërë që sportistët kosovarë të mos kenë më nevojë të kërkojnë trajtim jashtë vendit për shumicën e lëndimeve.

