Rruga e suksesit për mërgimtarët shqiptarë është shpesh e mbushur me sakrifica, por historia e Hasan Sherifit dëshmon se kur bëhen bashkë vullneti, etja për dije dhe guximi për të sfiduar moshën, suksesi është i garantuar.
Nga një djalosh që posa kishte përfunduar shkollën fillore në Zarbincë të Malësisë së Bujanocit, sot ai është një nga afaristët dhe humanistët më të respektuar, i cili pasurinë më të madhe e sheh te ndihma që i jep vendit të tij.
Nga tregtia e hershme te bankat e shkollës në Gjilan
Ndonëse e nisi rrugën e biznesit në një moshë fare të re, menjëherë pas shkollës fillore, Hasani nuk lejoi që tregtia t’ia zbehte dëshirën për arsimim.
Dashuria për librin dhe dijen bëri që ai të regjistrohej në shkollën e mesme në Bujanoc, për t’u transferuar më pas në Gjilan, ku përfundoi gjimnazin shoqëror.
I dashuruar pas letërsisë, ai vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike (SHLP) “Skënderbeu” në Gjilan, në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, të cilat i përfundoi me sukses të lartë dhe në kohë rekorde.
Lider i studentëve dhe udhëtar i Ballkanit
Gjatë viteve të studimeve, Hasan Sherifi la gjurmë si një organizator i shkëlqyer. Për tri vite me radhë, ai udhëhoqi si kryetar i Konviktit të Nxënësve dhe Studentëve në Gjilan.
Nën drejtimin e tij, konvikti u shndërrua në një qendër të vërtetë kulturore ku organizoheshin orë letrare, shfaqje dramash e mbrëmje shoqërore.
Në të njëjtën kohë, si anëtar i kryesisë së studentëve, ai mbante një ritëm të shpejtë jete: paralelisht me provimet, zhvillonte biznes duke udhëtuar e tregtuar nëpër Rumani, Poloni, Çeki, Turqi e Bullgari.
Rruga drejt kurbetit, ngjitja profesionale në Zvicër
Viti 1989 do të shënonte një kthesë të madhe në jetën e tij, kur mori rrugën e mërgimit drejt Zvicrës.
Si çdo fillim në gurbet, edhe për Hasanin nuk ishte e lehtë; e nisi si punëtor i thjeshtë.
Mirëpo, përkushtimi i tij, serioziteti dhe besueshmëria bënë që brenda vetëm tre muajve të avancohej në pozicionin e shefit të punëtorëve.
Ky rrugëtim kulmoi në dy dekadat e fundit, ku ai krijoi biznesin e tij privat në Zvicër, të cilin e udhëheq me korrektësi të lartë dhe sukses të vazhdueshëm.
Humanisti i heshtur që po ndryshon infrastrukturën e Malësisë
Pavarësisht viteve të gjata në mërgim dhe integrimit të plotë atje, zemra e Hasanit rreh gjithmonë për vendlindjen.
Ai është bërë një shtyllë e rëndësishme për zonën, duke investuar shuma të mëdha në rregullimin e infrastrukturës rrugore, me theks të veçantë në segmentin Muhoc – Zarbincë dhe rrugët e tjera të fshatrave malore.
Meraku i tij më i madh dhe ëndrra që pret ta shohë të realizuar plotësisht, është asfaltimi i çdo rruge në fshatrat e Malësisë së Bujanocit.
Përtej rrugëve, Hasani njihet si një dorë e ngrohtë për shoqatat e shumta dhe familjet skamnore.
Mirëpo, si një burrë fisnik, ai ka zgjedhur gjithmonë që ndihmat e tij financiare dhe humanizmin t’i mbajë larg syrit të medieve dhe kamerave.
Poliglot, eksplorues dhe atdhetar i palëkundur
Hasan Sherifi nuk është thjesht një afarist i suksesshëm. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e njohin si një intelektual me kulturë të gjerë dhe njohës të rreth 7 gjuhëve të huaja.
Ai ka qenë aktivist i palëkundur i çështjes kombëtare, ish-anëtar i Shoqatës për Pajtimin e Gjaqeve dhe një eksplorues i pasionuar i natyrës.
I urtë në komunikim, fisnik në sjellje, dorëlirë dhe gjithmonë i hareshëm,
Hasani mbetet modeli më i mirë i mërgimtarit që kombinon vlerat më të larta njerëzore me suksesin profesional.
