SPORT/ Pas dy vitesh e gjysmë, Senad Jarović ndahet me SC Gjilanin

Jarović largohet nga SC Gjilani, klubi e falënderon për kontributin e jashtëzakonshëm

Sport Club Gjilani ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me sulmuesin Senad Jarović, duke e falënderuar për kontributin e dhënë gjatë dy viteve e gjysmë me fanellën kuqebardhë.

Gjatë kësaj periudhe, Jarović zhvilloi 80 ndeshje në Superligën e Kosovës, ku realizoi 40 gola dhe regjistroi 17 asistime, duke qenë një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës.

Në Kupën e Kosovës ai u paraqit në pesë ndeshje, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy asistime.

Në reagimin e klubit thuhet se Jarović, me golat, përkushtimin dhe karakterin e tij, ka lënë gjurmë në historinë e SC Gjilanit dhe ka fituar respektin e tifozëve kuqebardhë.

Klubi i ka shprehur mirënjohje për kontributin e dhënë dhe i ka uruar suksese në vazhdim të karrierës së tij, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal.

“Faleminderit për gjithçka, Senad! Gjithmonë i mirëpritur në shtëpinë tënde”, thuhet në mesazhin përmbyllës të SC Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët