TEKNOLOGJI / Studenti Dion Bejtullahu prezanton projektin inovativ të robotikës në konferencën “UKZAC 2026”

Në kuadër të Konferencës Vjetore Shkencore të Universitetit Publik “Kadri Zeka” (UKZAC 2026), studenti i Shkencave Kompjuterike, Dion Bejtullahu, ka prezantuar një punim shkencor mjaft inovativ në fushën e robotikës, të titulluar “Navigimi Reaktiv Autonom dhe Strategjitë Kundër Bllokimit për Robotët Mobilë”.

Ky punim u realizua në bashkëpunim dhe nën mentorimin e profesorit të tij, Prof. Pajtim Vela.

Projekti i prezantuar u fokusua në projektimin, implementimin dhe vlerësimin e një sistemi autonom navigimi për një robot mobil të tipit “e-puck”, duke shfrytëzuar mjedisin e avancuar të simulimit “Webots”.

Zgjidhja e zhvilluar nga studenti dhe mentori i tij kombinon shmangien e pengesave në kohë reale, kontrollin e lëvizjes të bazuar në sistemin PID, si dhe strategjitë adaptive të navigimit, me qëllim përmirësimin e stabilitetit dhe ndjekjes së trajektores në mjedise dinamike.

Një nga kontributet kryesore dhe më të veçanta të këtij projekti është implementimi i mekanizmave anti-bllokim. Këta mekanizma i mundësojnë robotit të identifikojë dhe të rikuperohet vetë nga situatat lokale të bllokimit, duke siguruar një navigim të vazhdueshëm e të sigurt, pa pasur nevojë të mbështetet në harta të paracaktuara apo në algoritme globale të planifikimit të mjedisit.

I riu gjilanas u shpreh se përmes këtij projekti ka fituar një përvojë tejet të vlefshme në sisteme autonome, robotikë, inxhinieri të kontrollit dhe algoritme inteligjente.

Ai ka falënderuar mentorin e tij, Prof. Pajtim Vela, si dhe organizatorët e konferencës “UKZAC 2026” për mundësinë e shkëlqyer për të prezantuar këtë punë dhe për t’u angazhuar në diskutime me studiues e profesionistë të fushës së teknologjisë.

 

Shpërndaj me të tjerët