Zhegoci, simboli i qëndresës, përballja epike që dëshmoi sakrificën sublime për liri

Beteja e zhvilluar më 15 prill 1999 në fshatin Zhegoc mbetet një ndër ngjarjet më domethënëse të rezistencës shqiptare gjatë Luftës në Kosovë, sepse me përfshirjen e këtyre trevave në luftë, territore i Kosovës edhe zyrtarisht ishte i tëri në flakë.

Në këtë ditë pranvere, mes maleve të Karadakut, u zhvillua një përballje e ashpër ndërmjet luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, një përballje që dëshmoi guximin dhe sakrificën për liri e mëvetësi.

Në atë kohë, shqiptarët e Kosovës po kalonin ditët më të rënda të historisë së saj bashkkohore. Fshatra të tëra po digjeshin, familje po dëboheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa popullsia civile përballej me dhunë të vazhdueshme nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Zona e Zhegocit kishte rëndësi të veçantë strategjike, pasi shtrihej në një terren kodrinor e malor që lehtësonte mbrojtjen dhe lëvizjen e njësive guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mëngjesi i 15 prillit nisi me lëvizje të shumta të forcave serbe, të cilat synonin depërtimin në këtë zonë dhe thyerjen e rezistencës shqiptare. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vendosur në pozicionet mbrojtëse, ishin të vetëdijshëm për rrezikun, por edhe për përgjegjësinë që mbanin mbi supe, e sidomos mbrojtjen e popullatës dhe të tokës së tyre.

Luftimet shpërthyen me intensitet të lartë. Krismat e armëve dhe shpërthimet tronditën qetësinë e natyrës përreth që e karakterizon Zhegocin. Edhe pse përballë një armiku më të armatosur dhe më të organizuar, luftëtarët e UÇK-së treguan vendosmëri të jashtëzakonshme.

Ata përdorën njohjen e terrenit dhe taktika guerile për të rezistuar sa më gjatë dhe për të penguar avancimin e forcave serbe dhe barrë kryesore kishin mbrojtjen e civilëve. Gjatë kësaj beteje ranë dëshmorë shumë trima që nuk kursyen jetën për lirinë e vendit tonë. Gjaku i tyre u bë simbol i sakrificës dhe i përkushtimit ndaj atdheut.

Në të njëjtën kohë, shumë civilë u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre dhe dhunshëm u persekutuan në Shqipëri, Maqedoni etj. Megjithëse beteja nuk ishte e lehtë dhe solli humbje të mëdha për UÇK-në e popullin shqiptar, por ajo nuk e theu shpirtin e rezistencës që ishte ngulitur thellë në zemrat e tyre, brez pas brezi.

Përkundrazi, qëndresa në Zhegoc dhe në zona të tjera të Kosovës ndikoi në forcimin e kauzës shqiptare dhe në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për padrejtësitë që po ndodhnin në Kosovë. Zhegoci dhe e gjithë Malësia përreth kishin një rol të rëndësishëm në luftën çlirimtare, si pjesë e Zonës Operative të Karadakut. Luftëtarët e UÇK-së të kësaj ane, të përkrahur nga banorët e fshatit, u bënë pjesë e një rezistence të vendosur kundër pushtuesit.

Ata organizuan baza, ofruan strehë dhe furnizime për luftëtarët, dhe në shumë raste, morën vetë armët për të mbrojtur familjet dhe atdheun. Çdo vit, më 15 prill, në fshatin Zhegoc pranë lapidarit zhvillohen aktivitete përkujtimore me pjesëmarrjen e institucioneve lokale dhe qendrore, familjarëve të dëshmorëve, veteranëve të luftës dhe qytetarëve të shumtë.

Në këtë ceremoni mbahen fjalime përkujtimore, vendosen kurora me lule dhe nderohet sakrifica sublime e atyre që dhanë jetën për liri e pavarësi. Ne jetojmë si rezultat i kontributit të tyre.

Në kujtim të tyre është ngritur një Lapidar në Zhegoc, i cili mbanë stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe brenda tij janë të gdhendur emrat e disa dëshmorëve nga kjo trevë që ranë në fushëbeteja të ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Lapidari nuk është vetëm një shenjë përkujtimi, por një dëshmi historike e qëndresës shqiptare në njërën nga periudhat më të vështira të kombit tonë.

Sot, Beteja e Zhegocit kujtohet me respekt dhe nderim. Ajo është një kujtesë e gjallë e sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Brezat e rinj e mësojnë këtë histori jo vetëm si një ngjarje të së kaluarës, por si një frymëzim për të ruajtur vlerat e lirisë, unitetit dhe dashurisë për atdheun.

Lavdi dëshmorëve të kombit, Nderime të gjithë atyre që dhanë çdo gjë nga vetja që ne sot të jetojmë të lirë.

Autori: Prof. Ass. Dr. Blerim HAZIRI

 

Shpërndaj me të tjerët