BASKETBOLL/ Gjilanasi Laurant Ibrahimi merr drejtimin e Sigal Prishtinës në Play-off

Skuadra më e trofeshme e basketbollit kosovar, KB Sigal Prishtina, i ka besuar timonin për ndeshjet e mbetura të Play-off-it trajnerit perspektiv nga Gjilani, Laurant Ibrahimi.

Ky emërim vjen pas largimit të trajnerit të deritashëm dhe situatës së vështirësuar  brenda klubit kryeqytetas.

Ibrahimi ka debutuar në bankinë në ndeshjen e parë kundër skuadrës “Bora”, takim të cilin prishtinasit e humbën.

Megjithatë, ai do të jetë sërish në krye të detyrës këtë të enjten, në ndeshjen kthyese, me shpresën për të rikthyer rezultatin pozitiv.

Trajneri gjilanas ka bërë të ditur se ky mision nuk është i lehtë, pasi Sigal Prishtina po kalon nëpër një periudhë tejet të vështirë financiare.

Si pasojë e këtyre problemeve, lojtarët e huaj amerikanë tashmë janë larguar nga skuadra, duke e lënë ekipin me një fond të limituar lojtarësh në fazën më kritike të kampionatit.

Këto mungesa dhe sfidat e shumta organizative kanë bërë që klubi me histori të madhe të hasë në vështirësi serioze në Play-off.

Ibrahimi do të përpiqet të nxjerrë maksimumin nga lojtarët vendorë në këtë fund sezoni dramatik.

 

Shpërndaj me të tjerët