FC Drita ka nisur menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ri, duke filluar nga lojtarët kryesorë.
Klubi gjilanas ka njoftuar zyrtarisht se ka arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me portierin Faton Maloku dhe kapitenin Besnik Krasniqi.
Që të dy futbollistët kanë qenë titullarë të padiskutueshëm në repartin defensiv, duke bartur peshën kryesore si në garat vendore, ashtu edhe në paraqitjet dinjitoze në arenën ndërkombëtare.
Mbrojtësi i djathtë dhe kapiteni, Besnik Krasniqi, do të vazhdojë ta udhëheqë skuadrën në fushë, ndërsa Faton Maloku, i cili rregullisht është pjesë e listës rezervë te Përfaqësuesja e Kosovës, do të blindojë përsëri portën e bardhekaltërve.
Me këto dy rinovime të rëndësishme, Drita jep një sinjal të qartë se synon të mbetet pretendente kryesore për trofe edhe në stinorin e ri.

