Dr. Muhamed Maliqi certifikohet specialist i Neurologjisë: “Tërë jetën do t’ua kushtoj pacientëve”
Shëndetësia në rajonin e Anamoravës është pasuruar sot me një kuadër të ri profesional.
Dr. Muhamed Maliqi ka përfunduar zyrtarisht specializimin në lëmin e Neurologjisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e tij dhe duke u zotuar për shërbim të palodhshëm ndaj pacientëve.
Me thënien inspiruese se “shpresa fillon me një dorë që ndihmon”, Dr. Maliqi ka bërë të ditur përfundimin e provimit specialistik para komisionit profesional në përbërje të Prof. Ass. Valbona Govori, Ass. Dr. Blerim Myftiu dhe Dr. Jehona Rrustemi-Bytyçi.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për mentorin e tij klinik, Ass. Dr. Dren Boshnjaku, dhe drejtorin e Klinikës së Neurologjisë, Dr. Edmond Komoni.
Dr. Muhamed Maliqi lindi në Busavatë të Kamenicës, ku kreu shkollimin fillor, për të vazhduar më pas shkollën e mesme të mjekësisë në Gjilan dhe studimet universitare në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Përvoja e tij profesionale nisi në “Spitex Kosova”, për të vazhduar me një kontribut të jashtëzakonshëm në Spitalin Rajonal të Gjilanit gjatë periudhës kritike të pandemisë (2020–2021).
Në mars të vitit 2021, ai nisi specializimin në Klinikën e Neurologjisë, të cilin e kurorëzoi sot me sukses të lartë.
Gjatë këtij rrugëtimi pesëvjeçar, Dr. Maliqi ka shërbyer me përkushtim edhe në Spitalin e Gjilanit përmes kujdestarive 24-orëshe, duke qenë gjithmonë afër nevojave të qytetarëve.
Arritjen e tij profesionale, Dr. Maliqi ua ka dedikuar prindërve, bashkëshortes dhe familjes për mbështetjen e palëkundur.
Ai ka falënderuar gjithashtu kolegët specialistë dhe stafin infermieror për bashkëpunimin korrekt.
Me certifikimin e Dr. Muhamed Maliqit si specialist, Gjilani dhe rrethina fitojnë një mjek të përgatitur në një fushë që historikisht ka pasur mungesë kuadri në Anamoravë.
Ky avancim premton shërbime më cilësore dhe diagnostikim më të shpejtë për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim neurologjik.
Shënim:
Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.
Mund të shpërndahet vetëm si link.
Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!
Botuesi dhe redaktori:
/F.S./

