Champions League ka dhuruar një nga mbrëmjet më spektakolare të viteve të fundit. Në “Allianz Arena”, Bayern Mynih ka siguruar kalimin për në gjysmëfinale pas një beteje epike me Real Madridin, që përfundoi me shifrat 4-3.
Falë edhe fitores 1-2 në ndeshjen e parë, bavarezët eliminojnë “Mbretërit” e Europës në një ndeshje që pati gjithçka: përmbysje, supergola dhe karton të kuq.
Ndeshja nisi me ritëm të çmendur ku Arda Guler kaloi Realin në avantazh pas një gafe të Neuer, por Pavlovic barazoi shpejt.
Talenti turk Guler shkëlqeu sërish me një supergol nga goditja e dënimit, por Kane dhe më pas Mbappe mbajtën tensionin në kulm.
Kthesa e madhe erdhi në minutën e 86-të, kur Camavinga u ndëshkua me karton të kuq. Bayerni përfitoi menjëherë: Luis Diaz barazoi shifrat, ndërsa në sekondat e fundit Olise vulosi kualifikimin e madh.
Në gjysmëfinale, Bayernin e pret PSG-ja.
Arsenali mbron rezultatin dhe shkon te Atletico
Në Londër, Arsenalit i ka mjaftuar një barazim pa gola (0-0) ndaj Sportingut të Lisbonës për të siguruar biletën mes katër më të mirave.
Pas fitores 0-1 në Lisbonë, “Topçinjtë” u treguan cinikë dhe mjaftueshëm të fortë në mbrojtje për të ruajtur avantazhin e ndeshjes së parë.
Ndonëse nuk shkëlqyen në sulm, ku Trossard goditi shtyllën në fund, londinezët regjistruan ndeshjen e tetë pa pësuar gol në këtë edicion.
Ky stabilitet mbrojtës do të jetë arma e tyre kryesore në përballjen e vështirë të gjysmëfinales kundër Atletico Madrid.
Një gjë është e sigurt: gjysmëfinalet e këtij edicioni premtojnë të jenë po aq elektrizuese sa kjo mbrëmje çerekfinalesh!

