Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nisur ditën e sotme me një vizitë në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ku ka zyrtarizuar një tjetër mbështetje konkrete për këtë institucion të arsimit të lartë.
Përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi, Komuna ka dorëzuar 32 tableta, të cilat i janë dhënë në shfrytëzim universitetit për një afat të pacaktuar.
Këto pajisje teknologjike synojnë të lehtësojnë punën kërkimore-shkencore dhe të modernizojnë proceset mësimore për stafin akademik dhe studentët.
Kryetari Hyseni theksoi se ky investim është pjesë e strategjisë së komunës për digjitalizimin e institucioneve dhe krijimin e kushteve moderne për studime në Gjilan.
“Universiteti ‘Kadri Zeka’ është një aset i rëndësishëm i qytetit tonë. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë të palëkundur në rrugëtimin e tyre drejt ngritjes së cilësisë akademike dhe inovacionit,” u shpreh kreu i Gjilanit gjatë takimit me përfaqësuesit e universitetit.
Ky projekt konfirmon vullnetin e qeverisjes lokale për të investuar në infrastrukturën teknologjike, duke e shndërruar Gjilanin në një qendër rajonale të edukimit digjital.
