Apel për kujdes në Rrugën e Kumanovës, rritet rreziku nga shpejtësia

Këshilltari komunal në Gjilan, Fadil Ademi, ka bërë apel për rritjen e kujdesit në Rrugën e Kumanovës, duke kërkuar përgjegjësi më të madhe si nga drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe nga këmbësorët.

Përmes një reagimi publik, ai ka theksuar se kjo rrugë po bëhet çdo ditë e më e frekuentuar, pasi po shfrytëzohet si alternativë për qarkullim.

Sipas tij, rritja e fluksit të automjeteve ka sjellë edhe rritje të rrezikut për banorët e zonës.

Ademi ka theksuar se, ndonëse janë vendosur tabela për kufizimin e shpejtësisë, ato shpesh nuk respektohen nga disa vozitës të papërgjegjshëm që lëvizin me shpejtësi të madhe.

Në këtë rrugë qarkullojnë çdo ditë fëmijë, këmbësorë dhe banorë të lagjes, të cilët, sipas tij, janë vazhdimisht të rrezikuar.

Ai ka shtuar se aksidentet në këtë segment rrugor po ndodhin gjithnjë e më shpesh. “Nuk duhet të presim që të ndodhë një tragjedi për të reaguar”, ka theksuar ai.

Me këtë rast, është bërë apel edhe ndaj Policia e Kosovës që të shtojë patrullimet dhe kontrollet e shpejtësisë në këtë zonë, në mënyrë që të rritet siguria për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Në fund, Ademi u ka bërë thirrje shoferëve që të ulin shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes maksimal, duke rikujtuar se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët.

Shpërndaj me të tjerët