Një hap historik drejt zgjidhjes së problemeve shumëvjeçare me dokumentacion për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe diasporën është bërë mbrëmë në Parlamentin e Kosovës.
Me 62 vota për, është miratuar në parim Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, një nismë që sjell lehtësime rrënjësore dhe eliminon barrierat burokratike që kanë munduar me dekada bashkatdhetarët tanë.
Ky lajm është mirëpritur veçanërisht nga Drejtori i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjilanit, Elbasan Shabani, i cili që nga marrja e detyrës kishte kërkuar zyrtarisht nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lehtësimin e procedurave për shqiptarët e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës që jetojnë në Kosovë.
Ndryshimet e reja ligjore janë vlerësuar si një revolucion administrativ, pasi shkurtojnë në mënyrë drastike kohën dhe kostot për pajisjen me shtetësi.
Sipas detajeve të bëra publike, procedurat janë thjeshtuar nga nëntë dokumente që kërkoheshin më parë në vetëm një kërkesë të vetme, ndërsa koha e pritjes është reduktuar nga gjashtë muaj në vetëm 30 ditë.
Për më tepër, i gjithë ky proces tani do të realizohet pa asnjë pagesë, duke hequr kështu barrën financiare për aplikuesit.
Ky projektligj u jep një mundësi të artë edhe atyre që në të kaluarën janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, duke u mundësuar rikthimin e saj përmes një procedure të shpejtë dhe pa komplikime.
Për drejtorin Shabani, i cili vetë vjen nga Lugina, ky miratim është jetësimi i një kërkese të kamotshme për drejtësi ndaj qytetarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Kosovë, por që deri më sot kanë mbetur pa dokumente identifikimi.
Ky ligj i ri pritet të forcojë lidhjen e shtetit me diasporën dhe t’u japë fund vuajtjeve administrative të vëllezërve tanë nga Lugina, duke u garantuar atyre të drejtën e merituar për të qenë qytetarë me të drejta të plota të Republikës së Kosovës.

