Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka hyrë në fazën finale të rekrutimit të stafit të ri mjekësor, një hap ky që pritet të rrisë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve për pacientët e rajonit të Anamoravës.
Kandidatët të cilët kanë aplikuar më herët, në përputhje me procedurat dhe afatet e konkursit të shpallur nga ky institucion, tashmë do t’i nënshtrohen testit pranues/kalues për të vërtetuar përgatitjen e tyre profesionale.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi i rekrutimit synon plotësimin e 8 pozitave kyçe në departamentet më të kërkuara: 3 mjekë specialistë urologë, 2 specialistë ortopedë, 2 specialistë pulmologë dhe një mjek specialist radiolog.
Ky shtim i kuadrove mjekësore shihet si një lajm i mrekullueshëm për qytetarët, pasi pritet të shkurtojë ndjeshëm listat e gjata të pritjes dhe të rrisë efikasitetin në diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve, duke shmangur kështu udhëtimet e shpeshta të pacientëve drejt Prishtinës.
Përzgjedhja përmes testimit garanton se në këto pozita do të emërohen profesionistët më të përgatitur, të cilët do t’i japin një frymëmarrje të re Spitalit të Përgjithshëm.
Me ardhjen e këtyre specialistëve, institucioni do të ketë kapacitete më të mëdha për t’u ballafaquar me fluksin e pacientëve, duke ofruar shërbime më të shpejta, më cilësore dhe mbi të gjitha, më afër qytetarit.

