Shëndetësia primare në komunën e Gjilanit po hyn në një fazë të re të përmirësimit të infrastrukturës.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu, së bashku me zv. drejtoreshën e QKMF-së, dr. Merrushe Ajeti Haziri, kanë vizituar sot Qendrat e Mjekësisë Familjare në fshatrat Bresalc dhe Miresh, për të parë nga afër punën e stafit dhe për të paralajmëruar ndryshime të rëndësishme.
Ky takim shërbeu si një platformë diskutimi me stafin shëndetësor që shërben në këto lokalitete, por mbi të gjitha për të shpalosur planin e investimeve që pritet të nisin shumë shpejt.
Sipas drejtoreshës Kadriu, dy qendrat do t’i nënshtrohen një procesi të tërësishëm rinovimi, i cili do të ndryshojë rrënjësisht ambientet e punës dhe ofrimin e shërbimeve.
Këto investime kapitale synojnë që, krahas përkushtimit të stafit, pacientët e këtyre zonave të marrin trajtim mjekësor në kushte moderne dhe dinjitoze.
Rinovimi i QMF-ve në Bresalc dhe Miresh pritet të rrisë efikasitetin e shërbimeve, duke u ofruar qytetarëve një kujdes më të mirë shëndetësor sa më afër vendbanimeve të tyre, pa pasur nevojë që për çdo shërbim t’i drejtohen qendrës së qytetit.
Drejtoresha Kadriu falënderoi stafin për profesionalizmin e treguar çdo ditë, duke premtuar se përmirësimi i kushteve të punës mbetet prioriteti kryesor i dikasterit që ajo udhëheq, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës për të gjithë banorët e Gjilanit.

